Twitter Twitter Facebook RSS linkedin

Këmbimi Valutor

Ligji Nr.8782, datë 3.5.2001

L I G J

Nr.8782, datë 3.5.2001

 

PËR SHOQËRITË E KURSIM-KREDITIT

 

Në mbështetje të neneve 78 dhe 83 pika 1 të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave,

 

K UV E N D I

 

I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË

V E N D O S I :

 

KREU I

DISPOZITA TË PËRGJITHSHME

 

Neni 1

Objekti i ligjit

 

Objekti i këtij ligji është krijimi, veprimtaria dhe mbikëqyrja e shoqërive të kursim-kreditit (SHKK) dhe e unioneve që krijohen nga bashkimi i këtyre shoqërive.

 

Neni 2

Parimet e përgjithshme

 

Parimet e përgjithshme të ushtrimit të veprimtarisë së shoqërive të kursim-kreditit (SHKK) dhe të unioneve të tyre janë:

1. vullnetarizmi;

2. bashkëpunimi, ndihma e ndërsjellë për anëtarët e shoqërisë dhe qëllimi i zhvillimit të veprimtarisë së tyre nuk është fitimi;

3. teprica neto e krijuar (diferenca pozitive e të ardhurave me shpenzime) nuk shpërndahet për anëtarët, por përdoret për zhvillimin dhe zgjerimin e veprimtarisë shoqërore;

4. barazia në të drejtën e votimit - një anëtar një votë;

5. administrimi i shoqërisë nga vetë anëtarët e saj.

 

Neni 3

Përkufizimet

 

Termat, që përdoren në këtë ligj, kanë këto kuptime:

1. “Shoqëritë e kursim-kreditit (SHKK)” janë persona juridikë që përbëhen nga bashkime vullnetare të individëve, të personave fizikë ose juridikë, të cilët depozitojnë paratë e tyre në shoqëri dhe që përdoren nga shoqëria për dhënien e kredive anëtarëve të shoqërisë.

2. “Unioni i SHKK-së” është bashkimi vullnetar i SHKK-ve të veçanta që kryejnë veprimtari të paraqitura në këtë ligj dhe në aktet nënligjore përkatëse, të dala në zbatim të këtij ligji.

3. “Kontributi” është shuma e paguar në kapitalin e një SHKK-je ose të një unioni nga çdo person që bëhet anëtar i një shoqërie të kursim-kreditit ose SHKK-ja anëtare e një unioni, që në çastin e parë të hyrjes së tij, me qëllim krijimin e kapitalit të shoqërisë.

4. “Veprimtari jofitimprurëse” është veprimtaria në të cilat teprica e krijuar nuk shpërndahet ndërmjet anëtarëve, por përdoret për zhvillimin e shoqërisë së kursim-kreditit.

5. “Shoqëria e zgjeruar e kursim-kreditit” është çdo shoqëri e kursim-kreditit që ka më shumë se 100 anëtarë.

6. “Anëtar i unionit” është çdo SHKK e krijuar, e regjistruar dhe që kryen veprimtari, sipas dispozitave të këtij ligji.

7. “Agjenci rregullatore” është Banka e Shqipërisë, një institucion i krijuar sipas ligjit nr. 8269, datë 23.12.1997 "Për Bankën e Shqipërisë".

8. Llogari kursimi është një shumë parash që anëtari i SHKK-së depoziton pranë SHKK-së ose SHKK-ja depoziton pranë unionit sipas një kontrate depozite, të zotëruar nga anëtari ose nga një SHKK, e cila përbën një borxh ose një detyrim që SHKK-ja ose unioni ka ndaj pronarit të llogarisë.

9. Licencë është akti administrativ që i është dhënë SHKK-së ose unionit nga agjencia rregullatore, e cila i jep pushtet SHKK-së ose unionit të zbatojë veprimtaritë e veta të lejueshme të marrjes së depozitave prej anëtarëve të saj dhe të dhënies hua anëtarëve të saj, si dhe veprimtari të tjera të lejuara sipas këtij ligji dhe të autorizuara sipas akteve nënligjore.

Neni 4

Personaliteti juridik

 

Shoqëritë e kursim-kreditit janë persona juridikë. Çdo shoqëri e kursim-kreditit ka vulën e vet.

Shoqëritë e kursim-kreditit janë të lira të kryejnë veprimtaritë e tyre dhe të marrin vendime përkatëse brenda kuadrit të akteve ligjore dhe nënligjore.

 

Neni 5

Afatet e veprimtarisë

 

Shoqëritë e kursim-kreditit duhet të përcaktojnë kohëzgjatjen e veprimtarisë së tyre në aktet e brendshme të tyre. Çdo shoqëri e kursim-kreditit mund të vendosë të zgjasë ose të rizgjasë kohëzgjatjen e përcaktuar.

 

Neni 6

Anëtarësimi

 

Anëtarësimi në një shoqëri të kursim-kreditit përbëhet nga grupe që kanë lidhje të përbashkëta punësimi, profesioni ose shoqërie ose grupe brenda një fqinjësie, komuniteti ose zone gjeografike.

 

Neni 7

Selia

 

Shoqëritë e kursim-kreditit kanë selitë e veta, të cilat ndodhen brenda zonës gjeografike ku ato kanë veprimtarinë. Shtrirja e zonës gjeografike të shoqërive ose të unionit përcaktohet në statutin e tyre. Selia mund të transferohet me vendim të asamblesë së shoqërisë së kursim-kreditit.

 

Neni 8

Emërtimi

 

Emri i një shoqërie të kursim-kreditit përcaktohet në statutin e shoqërisë. Në letrat zyrtare, publike dhe dokumente të tjera të shoqërisë së kursim-kreditit, emri i saj paraprihet nga fjalët "shoqëri e kursim-kreditit", pas të cilave shkruhet emri i saj dhe numri i regjistrimit të shoqërisë së kursim-kreditit në gjykatë. Vetëm shoqëritë e kursim-kreditit, siç përcaktohet me ligj, mund të përdorin fjalët "shoqëri e kursim-kreditit" në shkresat, botimet dhe në dokumentet e tyre të tjera.

 

 

KREU II

VEPRIMTARITË

 

Neni 9

Objekti i veprimtarisë

 

Objekti i veprimtarisë  së shoqërisë së kursim-kreditit është të marrë depozita me ose pa interes vetëm nga anëtarët e shoqërisë së kursim-kreditit, t'u japë  hua vetëm anëtarëve të shoqërisë së kursim-kreditit dhe të përcaktojë afatet dhe kushtet që shoqërojnë huatë. Qëllimi i veprimtarisë së shoqërisë së kursim-kreditit është ndihma e ndërsjellë, dhënë anëtarëve të shoqërisë së kursim-kreditit.

 

Neni 10

Kryerja e veprimtarive

 

Shoqëritë e kursim-kreditit mund të kryejnë vetëm veprimtari që përfshihen në objektin e veprimtarisë në statutin e tyre, si dhe ndonjë veprimtari tjetër të njëjtë ose të përafërt. Shoqëritë e kursim-kreditit, si subjekte juridike, mund të rifinancojnë huanë e tyre ose mund të depozitojnë fonde në çdo bankë. Shoqëritë e kursim-kreditit nuk mund të venë në rrezik interesat financiarë të anëtarëve të tyre. Administratorët kanë përgjegjësi disiplinore ose financiare, kur në sajë të veprimeve të tyre të gabuara dëmtohen interesat financiarë të anëtarëve të shoqërisë.

 

Neni 11

Transaksionet me palët e treta

 

Shoqëritë e kursim-kreditit kryejnë transaksione me anëtarët e tyre ose me palë të treta, të cilat nuk janë anëtarë të shoqërive të kursim-kreditit, në përputhje me përcaktimet e parashikuara në statutet e tyre.

SHKK-të mund të kryejnë transaksione me palët e treta, për aq kohë sa ajo është brenda objektivave të SHKK-ve, siç përcaktohet me ligj.

 

 

KREU III

ANËTARËT E SHOQËRIVE TË KURSIM-KREDITIT

 

Neni 12

Anëtarët

 

Anëtarët e shoqërive të kursim-kreditit janë individë, persona fizikë ose juridikë, të cilët dëshirojnë të grumbullojnë kursimet e tyre dhe të marrin hua ndërmjet tyre brenda shoqërisë dhe që pranojnë aktet nënligjore të miratuara nga shoqëritë e kursim-kreditit. Çdo person mbi 18 vjeç dhe çdo person juridik, i cili është brenda lidhjes së përbashkët të shoqërive të kursim-kreditit mund të jetë anëtar i kësaj shoqërie të kursim-kreditit.

 

Neni 13

Numri i anëtarëve

 

Për krijimin e një shoqërie të kursim-kreditit duhen jo më pak se shtatë anëtarë.  Numri i anëtarëve mund të rritet pa kufizim gjatë kohës që ekziston shoqëria e kursim-kreditit. Gjithashtu, ky numër mund të ulet, me kusht, që të mos mbeten më pak se shtatë anëtarë. Kur shoqëria e kursim-kreditit mbetet me më pak se shtatë anëtarë dhe numri i tyre nuk rritet për një periudhë njëvjeçare, shoqëria e kursim-kreditit shpërndahet.

 

Neni 14

Kushtet e pranimit

 

Çdo individ ose person juridik që plotëson kushtet e pranimit të përcaktuara në këtë ligj  dhe në aktet e brendshme rregullative të një shoqërie të  kursim-kreditit, mund të jetë anëtar i kësaj shoqërie. Kërkesa e pranimit paraqitet me shkrim te bordi drejtues i shoqërisë së kursim-kreditit për rishqyrtim. Bordi drejtues është organi i duhur, i cili vendos nëse kërkesa duhet pranuar. Në rast refuzimi, anëtari aplikant ka të drejtë të apelojë për vendimin në asamblenë e përgjithshme më të afërt.

Neni 15

Humbja e anëtarësisë

 

Një person pushon së qeni anëtar i një shoqërie të kursim-kreditit, kur ai jep dorëheqjen, është përjashtuar ose kur vdes.

Kriteret, në bazë të të cilave bordi drejtues bën përjashtimin e anëtarit, janë:

- kur anëtari vepron në kundërshtim me parimet e përgjithshme të SHKK-së, të përcaktuara në aktet e brendshme rregullative të saj;

- kur anëtari është deklaruar subjekt në një çështje gjyqësore  për paaftësi paguese dhe nuk ka likuiduar borxhet e kaluara.

Kriteret e tjera mund  të përcaktohen në aktet e brendshme rregullative të SHKK-së.

Një anëtar i përjashtuar ka të drejtë të apelojë për vendimin e marrë në asamblenë e përgjithshme.

Kur personi vdes, trashëgimtari nuk humbet detyrimet e anëtarësisë. Çdo anëtar i një shoqërie të kursim-kreditit mund të japë dorëheqjen nga shoqëria e kursim-kreditit, kur ka përfunduar impenjimi i tij individual ose sipas kushteve të përcaktuara në aktet e brendshme rregullative të shoqërisë.  Në rastin e dhënies së dorëheqjes, anëtari duhet të njoftojë shoqërinë tre muaj përpara largimit. Bordi drejtues ka të drejtë të marrë vendime për të përjashtuar një anëtar nga shoqëria e kursim-kreditit.

 

KREU IV

TË DREJTAT DHE DETYRIMET E ANËTARËVE

 

Neni 16

Të drejtat dhe detyrat

 

Anëtarët e shoqërive të kursim-kreditit kanë të drejta dhe detyra të barabarta. Të drejtat dhe detyrat e anëtarëve të shoqërive të kursim-kreditit përcaktohen në statutin e shoqërisë dhe në aktet e brendshme rregullative të saj.

 

Neni 17

Masat disiplinore

 

Në rastet e shkeljeve të detyrimeve të përcaktuara në statut dhe në aktet e brendshme rregullative të SHKK-së, mund të merren masa të ndryshme disiplinore dhe gjoba financiare kundër anëtarëve të shoqërisë së kursim-kreditit, të tilla si: këshillim, detyrim për të paguar përsëri huanë, detyrim për të paguar dëmtimet, bllokim i kontributeve të tij, deri në përjashtimin nga shoqëria.

Organi i shoqërisë, i cili gëzon të drejtën për të vendosur masa disiplinore ose gjoba financiare, është asambleja e përgjithshme.

Çdo anëtar i SHKK-së mund të kundërshtojë masat e marra ndaj tij në asamblenë e përgjithshme. Kjo asamble, pasi është njoftuar për pretendimin e anëtarit, diskuton çështjen dhe arrin në përfundim në mungesë të anëtarit.

KREU V

ORGANET E SHOQËRIVE TË KURSIM-KREDITIT

 

Neni 18

Organet drejtuese

 

Organet drejtuese të një shoqërie të kursim-kreditit janë: asambleja e përgjithshme, bordi drejtues dhe komiteti mbikëqyrës. Në rastet e një shoqërie të zgjeruar të kursim-kreditit mund të krijohen komitete të veçanta, sipas përcaktimeve të bëra në statutin e shoqërisë.

 

Neni 19

Asambleja e përgjithshme

 

 

Asambleja e përgjithshme është organi vendimmarrës i shoqërisë së kursim-kreditit. Vendimet e asamblesë janë të detyrueshme për të gjithë anëtarët.

Asambleja e përgjithshme mund të jetë:

- asamble e zakonshme vjetore;

- asamble e jashtëzakonshme.

Asambleja e përgjithshme e zakonshme vjetore thirret një herë në vit nga bordi drejtues ose nga komiteti mbikëqyrës.  Asambleja e përgjithshme e zakonshme vjetore, thirret brenda katër muajve që pasojnë fundin e vitit financiar. Ajo rishikon dhe vendos për gjendjen financiare të shoqërisë së kursim-kreditit për raportin për veprimtarinë e bordit drejtues, si dhe për gjithë çështjet e tjera të veprimtarive financiare dhe drejtuese, që gjykohen si të rëndësishme nga bordi.

Numri i caktuar i duhur për mbledhjet e radhës së asamblesë së përgjithshme është i vlefshëm në qoftë se janë të pranishëm ose të përfaqësuar më shumë se gjysma e numrit të përgjithshëm të anëtarëve ose në qoftë se mblidhen më shumë se 50 për qind e votave. Çdo anëtar i shoqërive të kursim-kreditit mund të përfaqësohet nga një anëtar tjetër, sipas një mandati me shkrim.

Çdo përfaqësues duhet të jetë anëtar dhe mund të votojë edhe vetëm në emër të një anëtari tjetër. Vendimet e takimit të radhës së asamblesë së përgjithshme janë të vlefshme kur miratohen nga shumica e pjesëmarrësve anëtarë ose të përfaqësuar.

Mbledhja e jashtëzakonshme e asamblesë së përgjithshme thirret në qoftë se janë të pranishëm ose të përfaqësuar në takim jo më pak se dy të tretat e anëtarëve. Vendimet e takimit  të jashtëzakonshëm të asamblesë së përgjithshme janë të vlefshme kur miratohen nga jo më pak se dy të tretat e anëtarëve e pjesëmarrësve të pranishëm.

Kur numri i kërkuar nuk plotësohet, asambleja e përgjithshme rithirret me të njëjtin rend dite, brenda dy muajve nga data kur dështon mbledhja e mëparshme. Vendimet e asamblesë së re të përgjithshme të rithirrur janë të vlefshme, pavarësisht nga numri i pjesëmarrësve të pranishëm.

Anëtarët e një shoqërie  të kursim-kreditit mund të thërresin një takim, në çdo çast në një asamble të përgjithshme të zakonshme, për të marrë vendime për çështje të cilat janë të ndryshme nga ato që autorizohen të vendosen nga asambleja e përgjithshme e jashtëzakonshme dhe nga asambleja e përgjithshme vjetore.

 

Neni 20

Asambleja e përgjithshme e jashtëzakonshme

 

Një mbledhje e jashtëzakonshme e asamblesë së përgjithshme  mund të thirret nga bordi drejtues ose komiteti mbikëqyrës ose kur është kërkuar nga një e dhjeta e numrit të përgjithshëm të anëtarëve.

Asambleja e përgjithshme e jashtëzakonshme thirret në çdo kohë, kur asambleja vendos për amendamente në aktet e brendshme rregullative të shoqërisë së kursim-kreditit, për shpërbërjen e saj për transformimin nga njëra formë në tjetrën,  për krijimin e një unioni, si dhe për pjesëmarrjen në shoqëri të tjera.

 

Neni 21

Bordi drejtues

 

Bordi drejtues përbëhet prej jo më pak se tre drejtorë, të cilët zgjidhen nga asambleja e përgjithshme nga radhët e anëtarëve të shoqërisë së kursim-kreditit për një periudhë të përcaktuar në aktet e brendshme rregullative të shoqërisë dhe mund të hiqen në çdo kohë nga asambleja.  Bordi drejtues zgjedh kryetarin e tij dhe zëvendëskryetarin. Drejtorët normalisht zgjidhen për tre vjet me të drejtën që të rizgjidhen përsëri.

Bordi drejtues është organi ekzekutiv i një shoqërie të kursim-kreditit, i cili drejton shoqërinë dhe përgjigjet para asamblesë së përgjithshme. Bordi mblidhet nga kryetari ose zëvendëskryetari, kur vlerësohet e nevojshme, por jo më pak se një herë në tre muaj.

Bordi drejtues pranon kërkesa për kursim, cakton përqindjet e interesit, si dhe afatet dhe kushtet e ripagimit, administron rifinancimin dhe transaksionet e investimeve afatshkurtra dhe zbaton ndonjë pushtet tjetër të përcaktuar nga rregulloret drejtuese.  Nëse aktet e brendshme rregullatore nuk autorizojnë ngritjen dhe funksionimin e një komiteti huash, bordi jep hua sipas rregullave të përcaktuara, cakton përqindjet e interesit, afatet dhe kushtet e ripagimit, si dhe kërkon pagimin e një huaje menjëherë dhe pa afate, kur garancia e kreditorit nuk është e sigurt.

Kryetari i bordit përfaqëson shoqërinë e kursim-kreditit me palët e treta.

Aktet e brendshme rregullative të shoqërisë së kursim-kreditit përcaktojnë të drejtat dhe detyrat e bordit drejtues dhe rregullojnë veprimtarinë e saj. Bordi mund të caktojë një administrator për administrim të përditshëm të shoqërisë së kursim-kreditit. Administratori shpërblehet vetëm në formën e një page dhe bordi është i autorizuar të përcaktojë këtë pagë.  Administratori përgjigjet për të gjitha veprimet e tij para bordit drejtues.

Drejtorët përgjigjen për të gjithë veprimtarinë e tyre para asamblesë së përgjithshme dhe ndaj tyre merren masa disiplinore dhe gjoba financiare nga asambleja e përgjithshme, kur dëmtohen interesat financiarë të anëtarëve për shkak të arsyetimit të tyre të dobët ose të veprimeve të gabuara. Drejtorët iu nënshtrohen sanksioneve ligjore, nëse ata kryejnë vepra penale, ndërkohë që kryejnë detyrat e tyre.

 

Neni 22

Komiteti mbikëqyrës

 

Komiteti mbikëqyrës është organ monitorues i një shoqërie kursim-krediti, për veprimet e saj financiare dhe administrative. Objektivi i këtij komiteti është të mbikëqyrë të gjitha veprimet financiare të kryera sipas statutit të shoqërisë së kursim-kreditit, të sigurohet që bordi drejtues të marrë vendime sipas statutit dhe sipas vendimeve të asamblesë së përgjithshme, të kontrollojë administrimin financiar të shoqërisë së kursim-kreditit dhe të vlerësojë veprimet me rrezik të bordit.

Komiteti mbikëqyrës përbëhet nga tre anëtarë, të cilët zgjidhen nga asambleja e përgjithshme prej anëtarëve, të shoqërisë së kursim-kreditit, për një periudhë të përcaktuar në statutin e shoqërisë. Anëtarët e komitetit mbikëqyrës nuk mund të jenë njëkohësisht anëtarë të bordit drejtues. Komiteti mbikëqyrës nuk ka pushtet ekzekutiv dhe nuk mund të vendosë masa ndëshkimore për shkelje.

Çdo vit komiteti mbikëqyrës paraqet një raport në asamblenë e përgjithshme për gjendjen e përgjithshme financiare të shoqërisë së kursim-kreditit. Komiteti mbikëqyrës e paraqet këtë raport në asamblenë e përgjithshme ose thërret një asamble të zakonshme ose të jashtëzakonshme për ndonjë çështje të rëndësishme që duhet të diskutohet.

 

Neni 23

Dega rajonale

 

SHKK-ja e zgjeruar mund të krijojë degë rajonale brenda territorit të rajonit, të përcaktuar në aktet e brendshme të saj. Dega rajonale mund të përbëhet nga anëtarë me rezidencë brenda një territori të njëjtë të përcaktuar.

Dega rajonale formohet për të diskutuar dhe debatuar rreth çështjeve që lidhen me programin e asamblesë së përgjithshme, para se këto çështje të paraqiten në asamblenë e përgjithshme, por ajo nuk është e autorizuar që të marrë vendime. Delegatët e degës rajonale zgjidhen nga anëtarët brenda degës, për t'i përfaqësuar ata në asamblenë e përgjithshme. Bordi drejtues i një shoqërie të kursim-kreditit ka pushtet të përcaktojë numrin e delegatëve të çdo rajoni. Delegatët nuk lejohen të përfaqësohen nga të tjerë në asamblenë e përgjithshme.

 

Neni 24

Organe të tjera

 

Asambleja e përgjithshme mund të krijojë, sipas akteve të brendshme rregullative, komitete të tjera dhe të ndajë pushtetet dhe detyrat e tyre, për të drejtuar veprimet e shoqërisë së kursim-kreditit.

 

Neni 25

Shpërblimi sipas funksionit

 

Kryerja e funksioneve nga anëtarët e shoqërisë në organet e shoqërisë së kursim-kreditit zakonisht bëhet falas. Shpenzimet që lindin nga kryerja e këtyre veprimtarive, kur nuk merren përsipër nga shoqëria, paguhen sipas përcaktimeve të bëra në aktet e brendshme rregullative të shoqërisë.

 

 

KREU VI

KAPITALI I  SHOQËRISË SË KURSIM-KREDITIT

 

Neni 26

 

Kapitali i paguar

 

Shoqëria e kursim-kreditit ka kapitalin e vet, i cili përfshin vlerën e përgjithshme të kontributeve të anëtarësimit në cash, të paguara nga anëtarët e shoqërisë.

 

Neni 27

Përbërësit e kapitalit

 

Kapitali i shoqërisë së kursim-kreditit përfshin:

1. kapitalin e paguar;

2. fondet e donatorëve;

3. rezervën e krijuar nga tepricat;

4. fitimet/humbjet e grumbulluara;

5. tepricën ose deficitin gjatë vitit në vazhdim.

Kapitali është pronë e shoqërisë.

 

Neni 28

Pagimi i kontributeve

 

Statuti i shoqërisë së kursim-kreditit përcakton afatet dhe kushtet e regjistrimit në shoqëri, si dhe pagesën për kontributet e anëtarësimit.

 


Neni 29

Kalimi i kontributeve

 

Për aq kohë sa u përmbahen kritereve të anëtarësimit, kontributet e shoqërisë së kursim-kreditit mund të trashëgohen dhe mund të blihen nga palët e treta ose nga anëtarë të tjerë të shoqërisë së kursim-kreditit. Në këto raste, për kalimet e kontributeve duhet të merret autorizimi paraprak nga bordi drejtues i shoqërisë. Në rastin e trashëgimisë, kontributet e trashëgimtarit i cili nuk plotëson kriteret për të qenë anëtar i SHKK-së, i kthehen familjes.

 

Neni 30

Afatet e kthimit të kontributeve

 

Në rastet e largimit si anëtar i një shoqërie kursim-krediti, vlera e kontributit të anëtarit në kapitalin e paguar të shoqërisë së kursim-kreditit ripaguhet, sipas procedurave të përcaktuara në aktet e brendshme rregullative të shoqërisë. Baza për përcaktimin e vlerës së kontributeve të anëtarëve që do t’u kthehen, është gjendja financiare e ditës së fundit të qëndrimit të anëtarit në SHKK. Ky kthim bëhet pasi është verifikuar se borxhet e shoqërisë së kursim-kreditit janë mbuluar dhe pagimi i kontributeve që duhen kthyer nuk zvogëlon vlerën neto të kapitalit, nën tre të katërtat e shumës maksimale, të pranuar nga asambleja e përgjithshme.

 

Neni 31

Regjistrimi i anëtarësimit

 

Çdo shoqëri kursim-krediti mban një regjistër me emrat e anëtarëve, zotërues të kontributeve të shoqërisë së kursim-kreditit. Në këtë regjistër regjistrohen datat e pagimit të kontributeve, si dhe data e kalimit të pronësisë.

 

KREU VII

DISPOZITA FINANCIARE

 

Neni 32

Analiza e veprimtarive financiare

 

Bordi drejtues i shoqërisë së kursim-kreditit harton raportin e administrimit, përpilon inventaret dhe përgatit llogaritë vjetore sipas standardeve ndërkombëtare kontabile dhe sipas ligjit shqiptar të kontabilitetit, si dhe paraqet tek anëtarët e asamblesë së përgjithshme raporte për rishikim brenda tre muajve nga data e mbylljes së vitit financiar, me qëllim që ato të mund të miratohen brenda katër muajve nga mbyllja e vitit financiar.

 

Neni 33

Rezervat

 

Pavarësisht nga burimet e tyre, rezervat e shoqërisë së kursim-kreditit nuk mund t’u ndahen anëtarëve të shoqërisë së kursim-kreditit, në rastet kur shoqëria e kursim-kreditit është likuiduar ose kur anëtarët largohen nga shoqëria e kursim-kreditit.

 

Neni 34

Përdorimi i tepricës neto vjetore

 

Asambleja e përgjithshme vjetore, pasi shqyrton të gjitha të dhënat e paraqitura për gjendjen financiare të SHKK-së dhe vërteton respektimin e vërejtjeve të bëra, në fund përcakton përdorimin e totalit të tepricës neto vjetore, sipas kësaj renditjeje:

1. Rezerva ligjore llogaritet për çdo vit një e dhjeta e tepricës neto vjetore, e cila përdoret për të krijuar rezerva ligjore, derisa madhësia absolute e rezervës ligjore të jetë e barabartë me dhjetë për qind të totalit të aktivit.

2. Rezerva statutore, sipas përcaktimeve në rregullore për mbulimin e humbjeve.

3. Rezerva të tjera përcaktuar nga bordi drejtues.

 

Neni 35

Mbulimi i humbjeve

 

Kur biznesi i shoqërisë së kursim-kreditit pëson humbje, ato mbulohen nga rezerva të krijuara për këtë qëllim. Nëse këto fonde amortizohen, atëherë humbjet mbulohen përkatësisht nga rezerva të tjera të veprimtarisë, nga rezervat statutore dhe, së fundi, nga rezervat ligjore. Në qoftë se mbarohen rezervat, humbjet mbulohen nga kapitali i shoqërisë së kursim-kreditit. Kur ky kapital pakësohet nën tre të katërtat e shumës maksimale, të pranuara nga asambleja e përgjithshme, atëherë kërkohet mbledhja e asamblesë së përgjithshme, e cila e pranon këtë rënie të fondit dhe shpall shkrirjen e shoqërisë së kursim-kreditit. Kjo mund të ndodhë vetëm nëse anëtarët e shoqërisë së kursim-kreditit nuk vendosin të blejnë kontribute të tjera, të rrisin vlerën nominale të kontributeve ose të japin brenda një muaji shumat përkatëse për të mbuluar humbjen. Asambleja e përgjithshme njofton shkrirjen e shoqërisë së kursim-kreditit, nëse nuk merren masa për mbulimin e humbjeve pas një muaji.

Neni 36

Viti financiar

 

Viti financiar i një shoqërie kursim-krediti dhe i një unioni fillon më 1 janar dhe përfundon më 31 dhjetor.

 

KREU VIII

REGJISTRIMI DHE MIRATIMI

 

Neni 37

Kërkesa për regjistrim

 

Kryetari i bordit drejtues ka të drejtën e regjistrimit të shoqërisë së kursim-kreditit në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor të Tiranës. Kjo e drejtë mund të delegohet. Kërkesa për regjistrimin e shoqërisë së kursim-kreditit duhet të ketë të bashkëlidhur edhe një kopje të statutit dhe të aktit të themelimit të shoqërisë së kursim-kreditit. Nënshkrimet e personave, të cilët e vërtetojnë kërkesën për regjistrim, vihen në aktin e themelimit të shoqërisë, në statut etj.

 

Neni 38

Plotësimi i regjistrit

 

Shoqëria e kursim-kreditit regjistrohet në një regjistër të veçantë, i cili mbahet në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor të Tiranës.

Në regjistër regjistrohen dhe deklarohen: lloji, kohëzgjatja kur kjo përcaktohet, emri, selia, vlera e kontributeve dhe emrat e anëtarëve të bordit drejtues.

Kërkesa dhe aktet nënligjore të shoqërisë së kursim-kreditit depozitohen në aneksin e regjistrit.

 

Neni 39

Miratimi

 

Gjykata e Rrethit Gjyqësor të Tiranës miraton krijimin e shoqërisë së kursim-kreditit. Kjo kërkesë për regjistrim duhet të depozitohet brenda dy muajve nga data e ngritjes së shoqërisë së kursim-kreditit. Gjyqtari i vetëm i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor të Tiranës është i detyruar të bëjë të njohur vendimin e tij brenda një muaji nga data kur është dorëzuar kërkesa. Miratimi i gjyqtarit konsiderohet që është marrë, nëse shoqëria nuk njoftohet me shkrim brenda muajit nga data kur është dorëzuar kërkesa. Gjyqtari është i detyruar t’i bëjë të ditur shoqërisë së miratuar të kursim-kreditit për miratimin e vendimit, si dhe për numrin e regjistrimit në regjistrin e shoqërive të kursim-kreditit i cili mbahet në gjykatë.

Vendimi mund të apelohet në gjykatën e apelit, brenda pesë ditëve nga shpallja e vendimit, në rast se vendimi i gjykatës kundërshton miratimin e shoqërisë së kursim-kreditit.

 

KREU IX

UNIONI

 

Neni 40

Krijimi i unionit

 

Dy ose më shumë shoqëri të kursim-kreditit mund të krijojnë një union, që ka për qëllim nxitjen e organizimit dhe zhvillimin e shoqërive të kursim-kreditit, si dhe përmirësimin e veprimeve të tyre të brendshme. Unionet e shoqërive të kursim-kreditit i nënshtrohen dispozitave të këtij ligji. Nëse kryejnë funksione financiare, ato regjistrohen në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor të Tiranës dhe licencohen nga agjencia rregullatore.

Llojet e unioneve të shoqërive të kursim kreditit, emrat e tyre përkatëse dhe objekti i veprimtarive të tyre përcaktohen nga aktet e tyre nënligjore.

 

Neni 41

Kryerja e veprimtarive

 

Veprimtaritë kryesore të unionit janë të njëjta me ato të SHKK-ve, sipas përcaktimeve të bëra në këtë ligj, duke shtuar si vijon:

- Kryerjen e veprimtarive financiare brenda rrjetit të SHKK-ve, për të realizuar të njëjtat synime, për të cilat janë krijuar SHKK-të.

- Mund të kryejë inspektime në vend në SHKK-të, anëtare të unionit.

Në përputhje me parimet e përgjithshme të këtij ligji, veprimtaritë e unionit përfaqësojnë dhe ndihmojnë anëtarët, duke siguruar programe dhe shërbime, të cilat lejojnë shoqëritë e kursim-kreditit t’u shërbejnë me më frytshmëri anëtarëve të tyre. Këto mund të përfshijnë, por pa qenë të kufizuar ndaj tyre, fusha si: arsimi dhe kualifikimi, këshillimi drejtues, kontabiliteti, sistemet e standardizuara, furnizimet dhe format, marketingu dhe prokurimi, drejtimi i riskut, sigurimi, përkrahja para qeverisë e publikut në përgjithësi. Shoqëritë e kursim-kreditit, duke qenë anëtarë të unionit, mund të organizojnë ndërmjet tyre veprime rifinanciare dhe kontrolluese.

- Grumbullimin dhe drejtimin me kujdes të likuiditetit të anëtarëve të vet.

- Marrjen e fondeve nga shoqëri të tjera të kursim-kreditit, nga ndërmjetës financiarë ose nga burime të tjera.

- Kryerjen e shërbimeve të tjera dhe përfitimin ndaj anëtarëve të vet mund të autorizohen nga agjencia rregullatore.

- Përfaqësimin e të  gjithë rrjetit të SHKK-ve, anëtarë të tij, para qeverisë, autoritetit mbikëqyrës etj.

 

Neni 42

Detyrimet e unionit

 

Detyrimet e unionit janë:

- Mbikëqyr dhe kontrollon veprimtaritë e anëtarëve të tij, sipas rregulloreve të nxjerra nga agjencia rregullatore.

- Raporton sipas formave raportuese të miratuara në agjencinë rregullatore.

 

Neni 43

Pjesëmarrja

 

Vetëm shoqëritë e kursim-kreditit mund të marrin pjesë dhe të jenë anëtare të unionit. Pjesëmarrja në union është vullnetare dhe shoqëria e kursim-kreditit nuk është e detyruar të jetë anëtare e unionit.

 

Neni 44

Organizimi dhe kapitali

 

Unionet duhet të kenë të njëjtat organe dhe kapitalin si një SHKK. Anëtarët e tyre përfaqësohen nga një person i zgjedhur nga çdo SHKK e anëtarësuar. Unionet, gjithashtu, mund të punësojnë një drejtues dhe personel, në kushte të njëjta, të përcaktuara në këtë ligj për shoqëritë e kursim-kreditit.

Aktet, e brendshme rregullative të shoqërisë përcaktojnë rregullat për përbërjen e organeve qeverisëse, periudhën e veprimtarisë dhe përgjegjësinë e anëtarëve të bordit.

Unioni ka komitetin e kreditit të zgjedhur nga bordi drejtues.

 

KREU X

AGJENCIA RREGULLATORE

 

Neni 45

 

Pasi të regjistrohet, në kohë, në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor të Tiranës, shoqëria e kursim-kreditit ose unioni, duhet të marrë licencë nga agjencia rregullatore për të vepruar  si një shoqëri kursim-krediti ose si një union, para se të fillojë operacionet e veprimtarisë si një SHKK ose si një union.

Asnjë person ose subjekt nuk mund të kryejë veprimtari ose operacione të një shoqërie kursim-krediti ose unioni, nëse nuk ka marrë licencë, të lëshuar nga agjencia rregullatore. Agjencia rregullatore ka autoritetin dhe pushtetin të detyrojë çdo person ose subjekt, të cilët nuk kanë marrë licencë, të ndërpresin dhe të heqin dorë nga kryerja e veprimtarive ose e operacioneve të një shoqërie kursim-krediti ose të një unioni.

 

Neni 46

Mbikëqyrja

 

Licencimi dhe mbikëqyrja e shoqërisë së kursim-kreditit dhe të unioneve të tyre janë përgjegjësi e agjencisë rregullatore. Mbikëqyrja do të bëhet në lidhje me përputhshmërinë e veprimtarisë me dispozitat e këtij ligji dhe me rregullat e drejtimit financiar të duhur, veçanërisht brenda kuadrit të rregulloreve të miratuara nga agjencia rregullatore.

 

Neni 47

Të drejtat për mbikëqyrje

 

Agjencia rregullatore ka të drejtë:

1. Licencon SHKK-të dhe unionet e tyre.

2. Nxjerr norma të mbikëqyrjes për veprimtarinë e SHKK-ve dhe të unioneve të tyre.

3. Nxjerr udhëzimet kontabile, format raportuese dhe përgatit periodikisht, analizën financiare.

4. Bën inspektimin në vend.

5. Përcakton sanksionet dhe gjobat për shkelje dhe mospajtueshmëri me dispozitat e këtij ligji dhe/ose me rregulloret e mbikëqyrjes për zbatimin e këtij ligji.

 

Neni 48

Rregulloret

 

Agjencia rregullatore nxjerr rregullore për zbatimin e të drejtave mbikëqyrëse sipas këtij ligji.

 

Neni 49

Kontrolli i jashtëm

 

Çdo bilanc i unionit kontrollohet nga një specialist kontrollor i jashtëm i licencuar, në përputhje me ligjin përkatës. Ky specialist do të ketë, gjithashtu, të drejtën të kontrollojë bilancin e SHKK-ve, anëtarë të të njëjtit union.

 

Neni 50

Raportimi

 

Shoqëritë e kursim-kreditit dhe unionet bëjnë të gjitha raportet e kërkuara nga agjencia rregullatore, në mënyrën dhe kohën e duhur.

 

Neni 51

Gjobat dhe dënimet

 

Agjencia rregullatore për shkelje të dispozitave të këtij ligji dhe/ose të rregulloreve, ka të drejtë:

1. të pezullojë të gjithë ose pjesë të veprimtarive ose të operacioneve (marrjen e depozitave, dhënien e huave) të një shoqërie kursim-krediti ose të unionit për aq kohë sa e mendon të arsyeshme agjencia rregullatore;

2. t’i japë fund, të anulojë ose të tërheqë licencën, për të operuar të një shoqëri kursim-krediti ose si një union;

3. të vërë gjoba përfshirë këtu edhe skualifikimin e personave nga mbajtja e postit të drejtorit dhe/ose pozicionit të nëpunësit në një shoqëri kursim-krediti, ose të unionit;

4. të përcaktojë administratorin ose likuidatorin e shoqërisë, në rastet kur gjendja financiare e shoqërisë keqësohet dhe tejkalohen kufijtë e vendosur nga autoriteti mbikëqyrjes.

 

KREU XI

DISPOZITA PËRFUNDIMTARE

 

Neni 52

Përjashtimi nga taksat

 

Shoqëritë e kursim-kreditit përjashtohen nga tatimi mbi fitimin dhe nga tatimi mbi të ardhurat.

 

Neni 53

Shpërbërja

 

Asambleja e përgjithshme e jashtëzakonshme ose asambleja e zakonshme vjetore, e cila vëren zvogëlimin e kapitalit nën tre të katërtat e shumës maksimale të kapitalit, ka autoritetin për të bërë ose për të shpallur shpërbërjen e shoqërisë së kursim-kreditit.

Shpërbërja e shoqërisë së kursim-kreditit bëhet nga një likuidator i caktuar nga agjencia rregullatore, pasi asambleja  të ketë vendosur se duhet të shpërbëhet. Shpërbërja e shoqërisë së kursim-kreditit mund të ndodhë, gjithashtu, edhe kur shoqëria e kursim-kreditit arrin fundin e veprimtarisë së vet, të përcaktuar si shoqëri kursim-krediti dhe pasi të ketë përmbushur objektivin e shoqërisë së kursim-kreditit me dëshirën e të gjithë anëtarëve ose për arsye të parashikuara në rregulloret e saj.

 

Neni 54

Likuidimi

 

Mbështetur në vendimin e asamblesë së përgjithshme, për shpërbërjen e shoqërisë së kursim-kreditit, gjykata përcakton likuidatorin për të kryer procedurat e likuidimit të shoqërisë.

Detyrimet dhe përgjegjësitë e likuidatorëve rregullohen, në bazë të rregullave të miratuara nga asambleja e përgjithshme.

 

Neni 55

Përdorimi i kapitalit për pagesën e detyrimeve

 

 

Fondet, të cilat rezultojnë nga likuidimi, përdoren për të paguar detyrimet e shoqërisë së kursim-kreditit. Kontributet e shoqërisë së kursim-kreditit mund të paguhen, pjesërisht ose tërësisht, vetëm pas pagimit të të gjitha detyrimeve të shoqërisë së kursim-kreditit, kundrejt të tretëve. Pas likuidimit të një shoqërie kursim-krediti ose të një unioni, çdo aset i mbetur pas plotësimit të pretendimeve të kreditorëve, ndahet ndërmjet anëtarëve të shoqërisë së kursim-kreditit ose të unionit, nëse nuk përcaktohet ndryshe në aktet e saj, rregullatore.

 

Neni 56

Përgjegjësia financiare e anëtarëve të shoqërisë së kursim-kreditit

 

Nëse detyrimet e shoqërisë së kursim-kreditit nuk mund të paguhen me fonde nga likuidimi, anëtarët e shoqërisë së kursim-kreditit janë kolektivisht përgjegjës për pagimin e detyrimeve të shoqërisë së kursim-kreditit, vetëm deri në një shumë të barabartë me vlerën nominale të kontributeve të tyre, në shoqërinë e kursim-kreditit, sikurse parashikohet në aktet rregullatore.

 

Neni 57

Dispozita kalimtare

 

Çdo shoqëri kursim-krediti ose unioni, e krijuar dhe që ushtron veprimtarinë e vet përpara hyrjes në fuqi të këtij ligji, do të plotësojë kërkesat e këtij ligji për dokumentacionin e themelimit, regjistrimin dhe licencimin, brenda një periudhe tremujore nga data e hyrjes në fuqi e këtij ligji.

 

 

Neni 58

 

Ligji nr.8089, datë 21.3.1996 “Për shoqëritë kursim-krediti” shfuqizohet.

 

Neni 59

 

Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare.

 

 

Shpallur me dekretin nr. 3010, datë 18.5.2001 të Presidentit të Republikës së Shqipërisë, 

Rexhep Meidani

Na kontaktoni

Mund të na kontaktoni në Adresën tonë Postare. Lagja "Luigj Gurakuqi" P. 73 Kati 1 Elbasan Albania

 e-mail This email address is being protected from spambots. You need JavaScript enabled to view it.

 Tel: 003554253099

 

Scroll to Top